1. Teknika e marrjes së masës për protezën e pjesshme në nofullën e sipërme dhe nofullën e poshtme
Masa është një nga fazat më të rëndësishme në bërjen e protezës. Masat i kemi anatomike, funksionale dhe kompresive.
Masa anatomike është masa fillestare që merret me lugë serie, e cila duhet të jetë 2–3 mm më e gjerë se nofulla dhe buzët e lugës duhet të jenë deri në kufirin midis mukozës fikse dhe asaj të lëvizshme. Kjo masë na ndihmon për riprodhimin e formave anatomike dhe evidentimin e formacioneve anatomike. Materiali më i përshtatshëm për marrjen e masës është alginati.
Masa me lugë individuale merret pas krijimit të lugës individuale me rezinë vetëpolimerizuese ose baseplate. Luga individuale duhet të jetë e fortë dhe të ruajë formën gjatë manipulimeve që do të kryhen.
Masa funksionale me lugë individuale aplikohet kryesisht kur kemi defekte të mëdha, klasën e parë dhe të dytë të Kennedy dhe në kombinime defektesh. Qëllimi i masës funksionale është sigurimi i kufijve sa më të saktë të protezës, në mënyrë që proteza të adaptohet sa më lehtë. Si materiale për marrjen e masës përdoren alginat ose silikon. Pacienti gjatë marrjes së masës duhet të kryejë lëvizje në mënyrë aktive si hapje-mbyllje e gojës, lëvizje të gjuhës para-mbrapa-majtas-djathtas, etj.
Masa kompresive përdoret kryesisht në rastet kur kemi defekte me fund të lirë dhe rezilienca e mukozave është e rritur. Realizohet nëpërmjet lugëve të serisë dhe përdorimit të silikonit. Pasi gjendet luga e përshtatshme, merret masa me tiokol, duke e mbajtur të presuar deri në forcimin e materialit. Pasi hiqet masa nga goja, shpëlahet, thahet dhe kontrollohet. Më pas bëhet marrja e masës së imët.
Në nofullën e sipërme bëhet lirimi i frenulumit, plikave bukkale dhe vazhdon në formë harku duke përfshirë tuberin maksilar, shkon prapa në zonën pterigomandibolare dhe vazhdon në linjën AH.