1. Identifiko instrumentat manual qe perdoren per zgjerimin manual te kanalit te rrenjes.
Instrumentat manual që punojnë kanalin janë zgjerues dhe lëmues edhe pse këto dy koncepte ngatërrohen (të dyja presin). Me zgjerues nënkuptohen ato instrumenta që presin (punojnë) kanalin në gjithë perimetrin dhe gjatësinë e tij (zgjerohen duke ruajtur konturen anatomike të kanalit; japin formën tronk-konike dhe punojnë duke u zhytur në kanal). Me instrumenta lëmues nënkuptohen ato instrumenta që presin (punojnë) kanalin vetëm në atë pikë ku 'ngecin' në kanal (janë shumë agresive, prishin konturen anatomike të kanalit, dhe punojnë duke dalë nga kanali).
Këto diferenca vijnë nga ndryshimi në formë që instrumentat kanë dhe, rrjedhimisht, nga mënyra e funksionimit të tyre. Instrumentat zgjerues si K-file (K si Kerr, të dallueshëm nga forma katrore) presin në rrotullim (ne të njëjtën kohë edhe rrotullojmë edhe hyjmë në kanal), ndërsa instrumentat lëmues si H-file (H si Hedstrom, të dallueshëm nga forma rrethore) presin vetëm në lëvizje vertikale (lëvizje dalje nga kanali) dhe nuk rrotullohen në kanal (përjashtim mund të bëjë një moment i parë kur hyjmë në kanal me ¼ rrotullimi në mënyrë që të 'ngeci' në mure). Një model i mesëm mes të dyjave janë R-file (R si Reamers, të dallueshëm nga forma trekëndore, punojnë si në rrotullim ashtu edhe në dalje nga kanali) të cilët janë më agresivë se k-file, por më fleksibël (pra thyhen më pak) se H-file.
Emërtime të tjera vijnë nga modifikime të ndryshme të instrumentave të lartpërmendur. Modifikime të cilat i bëjnë këto instrumenta më prerës, më rezistent ndaj thyerjeve, me maje jo punuese etj. Një shembull janë flex-o-file të cilët kanë maje jo prerëse që drejton instrumentin në kanal (për të evituar pragje apo perforime), dhe janë prej Ni-Ti (pra fleksibël, thyhen më pak se çeliku).