1. Si do të veproni për realizimin e një radiografie?
Një gjë për t'u theksuar janë masat mbrojtëse që pacientët (sidomos pacientët e veçantë) dhe stafi mjekësor duhet të marrin para ekzekutimit të saj. Nuk duhet të bëjmë selfie me radiografinë; as xhami nuk mjafton për t’ju mbrojtur; duhet, me duket, mbi 3mm shtresë plumbi për t'u ruajtur nga rrezet X, ose një largësi e caktuar, me duket se intensiteti i rrezes X bie me kubin e largësisë nga burimi i rrezes; pra radiografia do ambientin e saj të dedikuar ose përdorimin e jelekëve/perdeve mbrojtëse. Dëmi qelizor që bën rrezatimi X është dëmi kumulativ! Pacienti bën 1-2-10 dhe ikën, stafi mjekësor është aty përditë. Thënë këto, vazhdojmë të lumtur detyrën tonë:
Ekzekutimi i një radiografie bazohet në:
- Zgjedhjen optimale të llojit të imazherisë sipas nevojës (OPT, okluzale, periapikale, bitewing, CBCT, 3D, etj.).
- Ekzekutimin korrekt (pozicionim dhe parametra ekspozimi korrekt). Aparaturat e përdorura në stomatologji, për radiografi endorale, janë ‘monobllok’ dhe në shumicën e rasteve nuk u modifikohen parametrat (ndoshta vetëm koha e ekspozimit); gjithsesi i përmbahemi manualit të përdoruesit për: kilovoltët (përafërsisht rreth 60-70 kv), densitetin (përafërsisht 5-8mA) dhe kohën e ekspozimit (rreth t = 0,15sek). Sa për pozicionin, dy janë gjërat për t'u patur parasysh:
- Pozicionimi i filmit në raport me dhëmbin dhe me tubin e aparatit. Më e mira është teknika e paralelizmit, ku, idealisht, filmi është paralel me dhëmbin dhe tubi paralel me filmin. Për të kuptuar kur tubi është paralel me filmin (filmi është në brendësi të gojës), shërbejnë rrathët e Rinn-it: rrathë me mbajtëse filmi që bashkohen nga një shufër metalike. Në mbajtësen e filmit vendoset filmi e hyn në gojë, pacienti kafshon shufrën metalike në mënyrë që të mos lëvizë më, jashtë mbetet rrethi ku pozicionohet tubi i radiografisë. Filmi dhe rrethi janë paralel me njëri-tjetrin. Ka rrathë me ngjyra të ndryshme (ndryshojnë nga vendosja e filmit dhe vendi për kafshim): blu për radiografi anterioresh, e verdhë për radiografi posterioresh, e kuqe për bite-wing dhe jeshile për endodonci (e përdorshme nën digën e gomës).
- Rregulla e Clark apo rregulli i objektit vestibular. Siç e dimë po shohim një strukturë 3D në një projeksion 2D dhe objektet mund të mbivendosen. Për të cilësuar këtë mbivendosje mund të përdoren 2 apo më shumë radiografi të bëra me projeksione të ndryshme (me majtas ose me djathtas). Në radiografinë e projektuar (e zëmë majtas) objekti që është më mbrapa (pra oral) do duket në anën e projeksimit (pra majtas) në lidhje me objektin që ndodhet vestibular.
- Interpretim korrekt.
Për të bërë radiografinë:
- Vlerësohet nevoja e radiografisë dhe lloji që do bëhet.
- Pozicionohet pacienti sa më komod të jetë e mundur në mënyrë që të mos lëvizë më (zakonisht lihet gjysmë shtrirë).
- I vihet pacientit jeleku mbrojtës (me plumb).
- Përzgjidhet rrathi i Rinn-it që do përdoret, vendoset marrësi i rrezeve X (film apo digital) në kapësen e tij, dhe pozicionohet në gojë, në nivel të dhëmbit të interesuar. I thuhet pacientit të mbyllë gojën dhe të mos lëvizë më.
- Pozicionohet ekstremiteti i lirë i tubit të radiografisë në nivel të rrethit dhe ndizet aparatura (siç thënë të dhënat janë të parapërcaktuara).
- Shkohet dhe pozicionohemi mbrapa perdes së plumbit (apo mbrapa një muri të posaçëm) dhe shkrepim aparatin (butoni është me telekomandë). Rrezatimi zgjat më pak se 1 sekondë.
- I hiqet pacientit rrathi, verifikohet radiografia, dhe vetëm nëse jemi ok i hiqet jeleku i plumbit.